Turqia u ka thënë aleatëve se ka një ‘JO’ për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO – thotë Erdogan

Turqia u ka thënë aleatëve se do të refuzojë anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.

Këtë qëndrim e ka ripërsëritur presidenti turk Tajip Erdogan në një video të postuar në llogarinë e tij në Twitter të enjten, përcjell Telegrafi.

Finlanda dhe Suedia aplikuan zyrtarisht të mërkurën për t’u bashkuar me NATO-n e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, një vendim i nxitur nga agresioni rus në Ukrainë.

Dhe kundërshtimet e Turqisë kanë ardhur si befasi për anëtarët e tjerë të aleancës.

“Ne do të vazhdojmë politikën tonë në mënyrë të vendosur. Ne u kemi thënë aleatëve se do t’i themi jo anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO”, tha Erdogan në një intervistë me studentë, vonë të mërkurën.

Presidenti turk tha se Suedia dhe Finlanda strehojnë dhe financojnë “terroristët” dhe i furnizojnë ata me armë, duke përsëritur akuzën e Ankarasë se vendet mbështesin grupet që ajo i konsideron terroriste, përkatësisht PKK dhe YPG.

“NATO është një aleancë sigurie dhe ne nuk mund të pranojmë që terroristët të jenë në të”, tha gjithashtu Erdogan. /Telegrafi/