Të gjithë po duan të ikin në Gjermani, del shifra sa mijë shqiptarë janë larguar drejt këtij shteti për 3 vjet

Vitet e fundit sa po vjen dhe po rritet numri i shqiptarëve që largohen përgjithmonë drejt vendeve të BE, një nga këto vende është edhe Gjermania. ku janë mijëra shqiptarë që janë larguar nga vendi i tyre drejt këtij shteti në 3 vitet e fundit.

Në fund të vitit 2021, në shtetet e Bashkimit Europian kishte të regjistruar 566 mijë shqiptarë, pa përfshirë Greqinë, sipas statistikave të publikuara nga Bashkimi Europian.
Pjesa më e madhe e tyre është në Itali, ku deri në fund të vitit 2021 ishin të regjistruar 433 mijë shtetas, ose 76% e deklarimeve totale të Eurostat (pa Greqinë).

Në tre vitet e fundit, numri i shqiptarëve që jetojnë në shtetet e Bashkimit Europian është rritur me gati 30 mijë persona. Ajo që vihet re qartë është tendenca e re për të ikur drejt Gjermanisë.

Nga 30 mijë persona që kanë arritur të regjistrohen në një vend të BE-së në tre vitet e fundit, rreth 27.3 mijë prej tyre kanë ikur drejt Gjermanisë, duke e çuar numrin në total në gati 77 mijë persona, të tretin pas Italisë e Greqisë për numrin e shtetasve shqiptarë në total që jetojnë në një vend të BE-së.

Franca është shteti i dytë pas Gjermanisë që ka parë rritjen më të lartë të shtetasve shqiptarë me rreth 8500 persona që janë shtuar, në një total prej 33 mijë personash.