Shqiptari më i urryer në botë del nga qelia, mashtroi gjithë njerëzit me çmimin e ilaçit që shpiku

Besoj e mbani mend të gjithë Martin Shkrelin. Ish-kreu i firmës farmaceutike “Pharma Bro” është liruar nga qelitë në SHBA dhe tashmë do të jetë i detyruar të paraqitet me raste të caktuara.

Ai është cilësuar si ‘shqiptari më i urryer në SHBA” për bëmat e tij. Martin Shkreli po vuante një dënim prej shtatë vitesh, pasi u shpall fajtor për mashtrim të investitorëve në vitin 2017.

Lirimi i Martin Shkrelit u bë publik pasi disa foto e tij duke dalë në rrugë qarkulluan në rrjetet sociale. Sipas BBC ai është zhvendosur nga burgu në arrest shtëpie dhe mund të lirohet plotësisht në muajin shtator.

“Vendimi erdhi pasi Martin Shkreli kishte përfunduar të gjitha programet që lejonin shkurtimin e dënimit të tij me burg”, tha avokati Benjamin Brafman.

Shkreli u dënua në vitin 2017 për mashtrim ndaj investitorëve në lidhje me dy fondet e sigurimeve që ai drejtonte dhe se kishte vjedhur para nga kompania e tij e barnave “Retrophin”. Ai supozohej të lirohej nga burgu në vitin 2023, pasi kërkesat e mëparshme për t’u lënë i lirë nuk ishin pranuar nga gjykata.

Gjatë seancave gjyqësore u zbulua se Martin Shkreli në vitin 2015 kishte abuzuar me çmimin e ilaçeve, pasi kompania që ai drejtonte ngriti çmimin e ilaçit të krijuar prej kohësh Daraprim, që përdoret për trajtimin e infeksioneve parazitare , nga 13,50 dollarë në 750 dollarë.

Në fillim të këtij viti, një gjykatës i Manhatanit zbuloi gjithashtu dhe të tjera tentativa të orkestruara prej tij për të penguar konkurrentët të prodhonin ilaçin, duke shkelur ligjet e konkurrencës në SHBA. Martin Shkrelit iu ndalua përjetë marrjen pjesë në industrinë e ilaçeve dhe u urdhërua të paguante 64.6 milionë dollarë.