Rusia gati dyfishon të hyrat nga shitja e lëndëve fosile nga fillimi i luftës

Rusia gati i ka dyfishuar të hyrat nga shitja e lëndëve fosile në BE gjatë dy muajve të luftës në Ukrainë, duke përfituar nga rritja e çmimeve, ndonëse sasia është zvogëluar.

Rusia ka marrë rreth 62 miliardë euro nga eksportimi i naftës, gazit dhe thëngjillit në dy muajt e luftës, sipas një analize të lëvizjeve të dërgesave nga Qendra për Hulumtime të Energjisë dhe Ajrit të Pastër.

Për Bashkimin Evropian, importet ishin rreth 44 miliardë për dy muajt e fundit, krahasuar me rreth 140 miliardë euro për tërë vitin e kaluar, ose rreth 12 miliardë euro në muaj, shkruan gazeta “The Guardian”.

Rezultatet e hulumtimit tregojnë se si Rusia ka vazhduar që të përfitojë nga “litari i qafës” sa i përket furnizimit të Evropës me energji, edhe gjatë kohës kur qeveritë janë munduar furishëm që t’ia pamundësojnë presidentit rus, Vladimir Putin, përdorimin e naftës dhe gazit si armë ekonomike.

Edhe pse eksportet nga Rusia janë zvogëluar nga lufta dhe sanksionet, mbizotërimi i këtij vendi si burim i gazit ka nënkuptuar se pakësimi i furnizimeve vetëm i ka rritur çmimet, të cilat tashmë ishin të larta për shkak të sasive të kufizuara gjatë rimëkëmbjes së ekonomive globale nga pandemia Covid-19. Dërgesat me naftë të papërpunuar nga Rusia për në portet e huaja ranë për 30 për qind në tri javët e prillit, krahasuar me nivelin e dërgesave në janar dhe shkurt, para fillimit të luftës, sipas të dhënave të hulumtimit.

Gjermania ka qenë importuesja më e madhe në dy muajt e fundit, pavarësisht pohimeve të qeverisë se ndërprerja e varësisë nga nafta ruse është prioritet. Ky shtet pagoi rreth 9 miliardë euro për importet gjatë kësaj periudhe. Italia është e dyta me rreth 6.8 miliardë euro të paguara.