Përveç Markut dhe Beqirit, Shqipëria ka dhe një tjetër super boksier! 9 ndeshje, 9 fitore, 6 me K.O.

Shqipëria ka filluar të ketë shumë djem që praktikojnë sportin luftarak të boksit. Boksi është një sport shumë i përzgjedhur vitet e fundit nga djemtë e moshave të reja dhe e praktikojnë shumë, duke e zgjedhur jo thjesht një sport për të mbajtur trupin në formë, por edhe si një profesion afatgjatë për të shkruar emrin në letër dhe për të siguruar jetesën.

Një emër pak i dëgjuar, por jo për t’u lënë pas, është ai i 21-vjeçarit Amarildo Vraja. Amarildo është një djalosh që e ka pasur pasion boksin që në vogëli, por zgjodhi ta praktikonte në moshën 16-vjeçare duke nisur stërvitjen e tij të parë.

Amarildo deri më tani regjistron 9 ndeshje në total si profesionist, të gjitha të fituara, ku 6 prej tyre i ka me K.O. Trajnerët e tij, Albi dhe Fatjon Sorra, kanë shumë besim dhe durim me djaloshin, dhe gjithashtu ata të dy shprehen optimist se Amarildo do të ketë një karrierë të artë me performancën që po tregon deri më tani. Në një intervistë ekskluzive me gazetarin e ABC News, Hergi Llupi, ai ka shprehur qëllimet e tij dhe jo vetëm.

Pse e more iniciativën për të ushtruar këtë profesion?

Që kur kam qenë më i vogël i kam pasur me shumë pasion sportet luftarake dhe zgjodha boksin pikërisht sepse është një sport burrëror.

Je ende i ri në këtë fushë, cilat janë qëllimet e tua?

Qëllimet e mia janë të dal kampion bote, por si fillimi kemi një ndeshje për titullin WBC Intercontinental Youth, që është një nga federatat më të rëndësishme në botë. Shpresoj shumë që ta fitoj këtë titull.

Para se të hysh në ring, çfarë mendon?

Para se të hyj në ring nuk ka shumë për të menduar, aty futesh vetëm për të dhënë maksimumin dhe për të fituar, kështu që në mendjen time është vetëm termi fitore.

Si është rutina jote ditore?

Nuk është diçka specifike apo e njëjtë me të gjitha ditët e tjera. Kur jam në prag të ndonjë ndeshjeje, unë jam kokë e këmbë në procesin që quhet “training camp”. Zgjohem herët në mëngjes. Në orën 10:00 të mëngjesit kam seancën e parë stërvitore, që në të shumtën e rasteve është vetëm vrap. Më pas kthehem në shtëpi, ushqehem shëndetshëm dhe pushoj, ndërsa pasdite nis seancën tjetër stërvitore. Kështu është dita ime në 90% të rasteve, kur jam përpara një ndeshjeje.

Ku dëshiron ta shohësh veten pas 5 vitesh?

Pesë vite janë shumë, por mendoj se janë mjaftueshëm për të ngritur lart emrin tim në botën e boksit. Shpresoj shumë që brenda pesë viteve të fitoj ndonjë titull shumë të rëndësishëm, si ai i kampionit të Evropës.

Cila ka qenë ndeshja jote më e vështirë?

Nëse stërvitesh shumë dhe jep 100% nga vetja jote, nuk ka ndeshje të vështirë. Stërvitja është arma e vetme dhe kryesore në boksin profesionist për të pasur sukses. Unë stërvitem shumë në palestër dhe kjo më ka ndihmuar shumë që deri më tani të mos përballem me një ndeshje që ta quaj të vështirë.

A ndjek hapat e ndonjë boksieri me famë botërore?

Një ndër boksierët që mua më pëlqen shumë është Terenc Crawford. Është një boksier që unë e ndjek si shembull dhe mundohem shumë të ndjek hapat e tij e të mësoj nga stili i tij.

Sot mund të jetë ndeshja jote e fundit, kë do të zgjidhje si kundërshtar?

Kundërshtari për mua nuk ka shumë rëndësi, por nëse do të supozojmë se sot do të ishte ndeshja ime e fundit në karrierën time si boksier, do të zgjidhja pikërisht idhullin tim, Terenc Crawford. /Burimi:Abcnews.al