Ministrja e Financave: Kush konsumon më shumë energji do paguajë më shumë

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj ka deklaruar se sot do të vendoset çmimi për katër produkte ushqimore, konkretisht mielli, orizi kokërrgjatë, sheqeri dhe vaji i lulediellit.

Ajo deklaroi se janë në diskutim për garancinë sovrane për importuesit për të garantuar furnizimin për tre muajt e ardhshëm.

“Kemi ngritur bordin për përcaktimin e çmimeve jemi kujdesur të përcaktojmë marzhin. Bordi i ushqimeve ka një tjetër specifikë pasi ka disa kategori ushqimesh dhe marka të ndryshme. Kemi hasur më shumë vështirësi në përcaktimin e marzheve. Në datë 1 Prill bordi vendosi të mbajë në monitorim katër produkte të ndryshme mielli, orizi kokërrgjatë, sheqeri dhe vaji i lulediellit.

Janë përcaktuar disa marzhe që kompanitë duhet të zbatojnë dhe kemi vendosur të dalim me disa çmime. Këto çmime do bëhen me dije sot pas publikimit të tyre. Jemi në diskutim për të aplikuar të njëjtën metodologji edhe për inputet bujqësore. Kemi diskutuar edhe për garancinë sovrane për importuesit për të garantuar furnizimin për tre muaj. Inflacioni i ushqimeve do të zgjasë më shumë se harku kohor i këtij viti. Kjo është një nga arsyet kryesore për ngritjen e këtij bordi”, tha ajo.

Ajo u shpreh se ndalur te energjia elektrike po diskutohet për të vendosur se ata që konsumojnë më shumë do paguajnë më shumë.

“Çmimi i energjisë elektrike, ne kemi deklaruar se jemi duke menduar se nëse skenarët më pesimistë do materializohem mund të vendosim që ai që konsumon më shumë të paguajë më shumë. Por ende nuk ka një vendimmarje dhe një deklaratë për këtë gjë.

Nuk kam pasur asnjë ankesë nga bizneset. Nëse kanë pasur sjellje të tilla nga organet tatimore të ankohen pranë organeve kompetente. Ne kemi vendosur që me fiskalizimin të dalim nga një sistem që operonte me disa furnizues të autorizuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë”, deklaroi Ibrahimaj.