
Ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg, u shpreh se Rusia nuk i hedh sytë vetëm nga Ukraina. Në një konferencë donatorësh të organizuar në Berlin për të ndihmuar Moldavinë, një vend i vogël me vetëm 2,6 milionë banorë, por që ka pritur deri tani 370.000 refugjatë, Schallenberg përmendi edhe Ballkanin Perëndimor.
“Dijeni se Rusia nuk i hedh sytë vetëm nga Ukraina, por edhe nga Kaukazi jugor, nga Ballkani Perëndimor dhe Republika e Moldavisë”, ka paralajmëruar ai.
Kreu i diplomacisë austriake kërkoi nga BE që të çelë sa më shpejt negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Unë pres që kjo të bëhet ende nën presidencën franceze”, ishte komenti i tij, por çështja është se presidenca franceze merr fund në qershor.
Po ashtu ministri i Jashtëm austriak, insistoi që të liberalizohen vizat sa më shpejt me Kosovën. Kosova edhe Bosnje-Hercegovina duhet të marrin po ashtu një perspektivë anëtarësimi.
Bëhet fjalë nëse këto gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor do të mbeten në rrugën europiane të demokracisë e lirisë apo jo, u shpreh ai duke kujtuar influencën e Rusisë, Kinës dhe vendeve të tjera në rajon.
“BE nuk duhet të harrojë, se procese të mëparshme anëtarësimi kanë çuar në forcimin e zhvillimeve demokratike te vendet e sotme anëtare”, tha Schallenberg. “Pa anëtarësimin në BE, vendet europiano-lindore sot ndoshta do të ishin në një gjendje tjetër edhe më të vështirë”, deklaroi ai duke pasur parasysh Rusinë.