La pas vajzën 10 muajshe! Nuk e fiton dot betejën me leuçeminë, dorëzohet pas 8 vjetësh betejë

Bota e futbollit është në zi për ndarjen nga eta të Miguel Van Damme, portierit 28-vjeçar të Cercle Bruges, i cili është dorëzuar pas një beteje të gjatë kundër leucemisë, e cila filloi në vitin 2014.

Lajmin e ka dhënë e dashura e tij, Kyana Dobbelaere, me një postim të gjatë në Instagram që ka marrë mesazhet e ngushëllimit nga shumë fansa dhe yje të sportit belg, nga Stoffel Vandoorne e deri te portieri belg i Realit, Thibaut Courtois.

“Dashuria jonë, babi ynë i madh, u nis për ndeshjen e tij të fundit sonte, një ndeshje që nuk mund të fitohet më. Na le shumë ngadalë, megjithatë e bëre përsëri në mënyrën tënde, shumë të fortë. Luftove si luan.

Ne jemi shumë mirënjohës për atë që ishe: një shembull për shumë njerëz.Më bëre të kuptoj se nuk ka asgjë për t’u dorëzuar, edhe pse kishte vetëm një fije shprese, që ti e arrije pa reshtur.

Pusho tani zemër, e ke merituar, tani je i lirë nga çdo dhimbje. Një përqafim i madh nga vajzat e tua”, shkruan Kyana, në krah të postimit me një foto në të cilën ajo dhe vajza e saj, vetëm 10 muajshe, shtrëngojnë duart e Miguel.

Van Damme u diagnostikua me leuçemi në vitin 2014, para fillimit të sezonit sportiv, por ai arriti të qëndrojë në skuadër, duke u alternuar mes fushës dhe pankinës, deri në janar 2020, kur pas një rikthimi të sëmundjes, mjekët i dhanë pak shpresë për shërim.

Ndeshja e tij e fundit daton në vitin 2019. Një lajm i trishtë ky për futbollin botëror e sidomos atë belg. Shumë futbollistë të njohur kanë reaguar në rrjetet sociale tepër të pikëlluar për këtë humbje.