Kryemadhi tregon si duhet të jetë Presidenti i ri: Ta lërë pa gjumë Edi Ramën

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka komentuar deklaratën e kryeministrit Edi Rama i cili tha se presidenti i ardhshëm nuk duhet t’i ngjajë Ilir Metës.

Në emisionin “Opinion”, Kryemadhi theksoi se Presidenti aktual nuk ka kompetenca dhe se ka rolin e noterit të vendimeve të parlamentit. Sipas saj, presidenti duhet të zgjidhet nga populli, por duhet të ketë më shumë kompetenca.

“Normal që mos t’i ngjajë Ilri Metës se ai e lë pa gjumë atë. Nuk mendoj se qetësia e një politikani është të qenit tre herë kryeministër, mund të jesh kryeministër por mund të jesh njeriu më i urryer, pavarësisht se urrejtjen e blen me para. Mund të jesh kryeministër por mund të jesh i pa dëshiruar”, tha Kryemadhi.

Pyetje: Si duhet të jetë Presidenti?

Kryemadhi: Presidenti është gardian i kushtetues dhe votës së lirë. Presidenti sot është një institucion pa kompetenca. Tashmë ai do jetë një noter i disa vendimeve të qeverisë. Në disa këndvështrime, kërkohet që Presidenti duhet të jetë i zgjedhur nga populli.

Ne sot kemi një kryeministër edhe për fajin e opozitës që i dhanë shansin që ta bëjnë një autokrat i mundshëm në aspektin institucional.

Pyetje: A shihni një emër?

Kryemadhi: Ka sa të duash, edhe ju mund të jeni. Unë shikoj shumë figura, ka burra dhe gra shumë të mira. Ka elementë nga shoqëria civile, mund të jenë analistë politike, duke filluar nga emrat më të ndryshëm që mund të plotësojnë kriteret për President.