Këngëtarët e kameramanët e dasmave, tash e tutje kundër Albin Kurtit

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj ka folur për sektorët e bizneseve të cilat kanë evazion fiskal të potencialit të lartë e që janë, ndërtimtaria, gastronomia, hoteleria, turizmi dhe restorantet, përfshirë përdoruesit e rrjeteve sociale Facebook, Instagram, Tik-Tok, e të tjera që tash e tutje do të kenë obligim pagesën e tatimit.

Murtezaj ka thënë se tashmë ATK ka marrë një sërë veprimesh duke përgatitur një projekt për vitin 2022, ku do të kontrollohen të gjitha organizimet e ahengjeve që brenda tyre ka akterë të shumtë siç janë këngëtarët, grupet muzikore, kameramanët, të cilët do të paguajnë obligim tatimor për të hyrat që do t’i gjenerojnë gjatë punës së tyre.

Drejtori i ATK’së ka theksuar se nuk do të lejohen ndërhyrje e personave brenda ATK-së, për t’i ndihmuar bizneset që t’iu shmangën tatimit.

“Faktorë tjetër është edhe pjesa e transparencës, rritjes së transparencës duke i identifikuar bizneset të cilat vazhdojnë të jenë mospërmbushëse dhe ato informata duke i shpalosur me gjithë stafin. Kjo ka bërë që të krijohet një lloj pasigurie nëse mund të themi në të kaluarën, individë të caktuar kanë mundur të ndihën të mbrojtur nga dikush brenda ATK’së që të humbet kjo siguri dhe të kuptojnë ato biznese se kanë detyrim për të paguar dhe duhet të paguajnë detyrimet tatimore” deklaroi Murtezi për Kosovapress.

Administrata Tatimore e Kosovës tashmë është pajisur me softuerët të marrë si donacion nga Britania e Madhe, që ua mundësojnë marrjen e informacioneve për bizneset që iu shmangën tatimit.

“Argument tjetër është pjesa e zhvillimit të përfitimit të mbështetjes nga ana e Mbretërisë së Bashkuar me softuerë të veçanta, softuerë këto që na kanë kriju mundësinë që të shfrytëzojmë burim të informatave nga burimet e ndryshme, për shembull është njëri prej softuerë është pjesa e burimit të informatës e cila shfrytëzohet nga rrjetet sociale siç janë facebook, instagram, tik-tok etj, ku këto informata janë duke u përpunuar nga këto sofuera. Zyrtarë tonë të inteligjencës financiare dhe përmes rezultateve të këtyre informatave dërgohen në operativ te inspektorët e operativës dhe bëhen vlerësimet tatimore aty ku konstatohet që ka shmangie tatimore apo qarkullim të pa deklaruar” tha Murtezi.

I pari i këtij dikasteri ka thënë për KosovaPress, se të gjithë akterët që përfshihen në organizimin e dasmave, këngëtarët, kameramanët, grupet muzikore dhe përgatitësit e ushqimit, do të kenë obligim ta paguajnë tatimin.