I veshur me antipIumb, politikani i parë shqiptar viziton Ukrainën (VIDEO)

Talat Xhaferi është politikani i parë shqiptar që ka shkelur tokën ukrainase.

Me ftesë të Kryetarit të Kuvendit të Ukrainës, Rusllan Stefançuk, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi ndodhet në Ukrainë. Mësohet se ai ka mbërritur mëngjesin e sotëm, pasi ka udhëtuar me tren përmes Polonisë.

Njëkohësisht, në vizitë në Ukrainë po qëndrojnë edhe kryetarët e Parlamentit të Rumanisë dhe Konfederatës Zvicerane.

Mediat në Maqedoninë e Veriut raportojnë se Xhaferi vizitoi qytetin Irpin dhe pistën e Hostomelit që janë të shkatërruar nga veprimet luftarake.

“Gjithsesi, për mua është kënaqësi e veçantë dhe e pranova ftesën që edhe personalisht ti vizitoj Buçën dhe Irpinin që personalisht ti shohim pasojat nga ajo që është pushtimi i Federatës Ruse mbi Ukrainën. Ne në Ballkanin Perëndimor i kemi të freskëta kujtimet nga imazhet e këtilla që i shihnim jo më gjatë se dy dekada më para, e kemi të freskët Reçakun në Kosovë, e freskët është Srebrenica në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe gjithsesi mendoj se ne ju kuptojnë dhe e dimë më së miri çfarë do të thonë këto imazhe që i shohim këtu”, tha Xhaferi.