Frιka nga influenca ruse dhe kineze, Gjermania dhe Austria përvjelin mëngët për integrim të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE

Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe ai austriak, Karl Nehammer, kanë theksuar përkushtimin e tyre për avancim të shpejtë të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Nëse nuk ndodh kështu, frika është se rajoni mund të bëhet target i lehtë i influencës ruse dhe asaj kineze.

Scholz ka thënë se Ballkani Perëndimor ka nevojë për një perspektivë të qartë evropiane.

“Çdo vonesë tjetër, e bën të cenueshëm Ballkanin Perëndimor dhe të hapur nga influenca e palëve të treta”, ka thënë Shcolz, raporton European Western Balkans, transmeton Gazeta Express.
Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia kanë tashmë statusin e vendeve kandidate për anëtarësim në BE, mirëpo Kosova dhe Bosnjë Hercegovina, si kandidate potenciale, janë ende larg anëtarësimit.

Bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, do të duhej të kishin filluar kohë më parë, por kanë dështuar disa herë radhazi për shkak të refuzimit nga disa shtete të BE-së. Nuk është bërë e qartë se cilat vende kanë shprehur ngurrim për hapjen e negociatave.

Kancelari austriak ka thënë se pas lu ftës në Ukrainë, është shumë e rëndësishme të binden edhe euroskeptikët. Ai ka theksuar se Austria ka një histori të gjatë dhe të përbashkët me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Jo vetëm që na duhet t’i diskutojmë perspektivat e mundshme evropiane, por duhet edhe të veprojmë”, ka thënë Nehammer.

Ndërkaq, Scholz ka bërë të ditur se BE-ja ka nevojë për reforma institucionale për zgjerimin e saj. Nëse dështon, Ballkani Perëndimor do të jetë pre e influencave të tjera, veçanërisht influencës nga Rusia e Kina.

“Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme për ne, për shkak të interesave gjeostrategjike, që vërtet ta rrisim shpejtësinë, të lëvizim dhe t’u japim perspektive njerëzve të këtyre vendeve”, ka shtuar Nehammer. Sipas tij, një përkushtim i qartë se Ballkani Perëndimor përket në BE, duhet të implementohet edhe në praktikë. /GazetaExpress/