Cili qe roli amerikan në poѕhtërimin detar rus. Sfondi ѕpiun i fundoѕjes së “Moѕkva”-s

Një aeroplan amerikan patrulloi Detin e Zi disa orë përpara se kryqëzori “Moskva” të goditej nga raketat ukrainase, raporton The Times.

Boeing P8 Poseidon ishte brenda një rrezeje prej rreth 160 kilometrash nga anija komanduese e Flotës ruse të Detit të Zi, në ditën kur pësoi dëmtime katastrofike dhe përfundimisht u mbyt gjatë tërheqjes.

Spekulohet se qindra marinarë u vranë kur anija dyshohet se u godit nga të paktën një raketë “Neptun” e lëshuar nga ukrainasit.

Ukraina pretendoi se kishte gjuajtur dy raketa të tilla drejt anijes luftarake ruse që patrullonte në jug të Odessa-s.

Nga ana tjetër, Rusia këmbëngul se në anije ka pasur zjarr dhe shpërthim municionesh të shkaktuar nga një aksident dhe më vonë publikoi një video duke pretenduar se tregonin ekuipazhin e “Moskva”-s, por shumë media dhe ekspertë perëndimor kanë vënë në dyshim vërtetësinë e videos, nëse bëhet fjalë vërtet për ekuipazhin e anijes së fundosur.

Sistemi më i sofistikuar i vendndodhjes

P8, me vlerë rreth 330 milionë funte, është avioni më i sofistikuar për gjetjen dhe gjuetinë e nëndetëseve dhe gjurmimin e anijeve luftarake në arsenalin amerikan. Ai mund të hedhë mbi ujë sisteme të vogla lundruese sonare, të cilat kryejnë kërkime akustike nënujore për të zbuluar anijet e armikut.

Marina e SHBA-së në fakt përdori avionin e saj të ri të vëzhgimit detar, sipas raportit të The Times, për t’u siguruar forcave ukrainase të dhëna të sakta të shënjestrimit për të fundosur kryqëzorin rus.

Thuhet se një aeroplan amerikan P-8 Poseidon ndoqi “Moskva”-n për disa orë përpara se t’i dorëzonte vendndodhjen e saj ushtrisë ukrainase.

Poseidon, plot me pajisje survejimi më të fundit

Ky avion Boeing bazohet në aeroplanin reaktiv Boeing 737-800, i cili përdoret gjerësisht në aviacionin civil.

Megjithatë, në vend të pasagjerëve, Poseidon është i mbushur me pajisje mbikëqyrëse moderne, të cilat mund të gjurmojnë anijet dhe nëndetëset në distanca më shumë se 160 kilometra.

Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, përmes platformave të vëzhgimit dhe dronëve të NATO-s, ajo ka monitoruar lëvizjen ruse nga bregu polak përgjatë kufirit ukrainas deri në Detin e Zi. /tesheshi.com/