Askush nuk e braktis vendlindjen e tij nga dëshira, por nga dëshpërimi…

Shkruan Arbër Çeliku

Politikanët, në vend që të reflektojnë mbi politikat e tyre, që ndër dekada çuan në ikjen masovike të pjesës vitale dhe produktive të shoqërisë tonë (të rinj, mjekë dhe profesionistë nga fusha të ndryshme), ende dalin dhe japin deklarata banale për këtë fenomen.

Por, kjo më nuk ka aq shumë rëndësi. E vetmja gjë që mua më irriton me këtë rast, është fakti se ata (politikanët), ende duan që populli të besojë në fanepsjet e tyre. Mëtojnë arsyen jo shkakun.

Dhe, po t’i analizojmë shkaqet, të rrëqethet trupi dhe shpirti: punësime partiake, pavarësisht përgatitjes profesionale të individit, diferencime të skajshme në varësi të librezës partiake, subjektivizëm në avancimin e kuadrove profesionale në bazë të preferencave individuale të drejtuesve të institucioneve, servilizëm patetik karshi bosit të lagjes, etj etj.

Një mjek nga Tetova, i cili ishte drejtues në një spital në Duisburg (Gjermani), gjatë një bisede rasti më tha: “Ka 8 vjet që kam ardhur në Gjermani. Punova pak atje dhe një ditë, u ula dhe zhvillova një bisedë të thellë me vetveten. Ik o mjeran, më tha një zë nga brendia ime. Unë nuk mund të servilosem, nuk e kam në natyrën time.

As nuk mund të kërkoj lëmoshë profesionale nga askush, për t’u bërë drejtues reparti, as nuk mund ta shes shpirtin për një specializim partiak në Shkup. Dhe ika. Këtu jam i çliruar nga këto maskarallëqe. Falë punës time, mundit dhe pasionit për profesionin tim, jam sot këtu ku jam”.

Arsyetime mund të gjejmë sa të duam për t’u bërë thirrje njerëzve të rrinë këtu, por shkaqet e mposhtin arsyen politike-shoqërore.

Nëse vërtet formësuesit e politikave tona dëshirojnë që njerëzit të mos e braktisin vendin e tyre, duhet t’ia vënë gishtin kokës dhe të ndryshojnë qasjen politike: të mos jenë selektivë, përjashtues, hakmarrës, linçues, dhunues, por të veprojnë në përputhje me vlerat njerëzore, të respektojnë individin në bazë të arritjes së tij dhe jo në bazë të parimit të deritanishëm politik: “Është me ne, nuk është me ne”, ose “kush nuk është me ne, është kundërshtari ynë”.

Kundërshtarët nuk duhet projektuar, por ata duhet kërkuar në mesin tuaj, e që janë: uzurpuesit, zhvatësit, përvetësuesit e pronës publike, dhunuesit e arsyes së kulluar shoqërore dhe përçmuesit e shpirtit kolektiv.

P.S. Sot patriotizëm është t’i mbash njerëzit në vendin e tyre, të hapësh vende pune, të thithësh investime të huaja, të ndërtosh sistem për të qenë të së drejtës, t’u japësh bashkëqytetarëve shanse të barabarta konkurimi, t’u dalësh krah atyre dhe kështu me radhë. Çdo gjë tjetër është patriotizëm virtual.