
Në deklaratën e dhënë sot pas mbledhjes së Komisionit të Rithemelimit në selinë blu, Sali Berisha është pyetur edhe për fjalët që po qarkullojnë se Lulzim Basha mund të kandidohet për president.
Gazetarja: “Do ta jepnit votën për Bashën President?” Me buzën në gaz, ish-kryeministri u tha gazetarëve: “A ka mundësi të mos bëni shaka?” Dhe më pas shtoi se vetë Basha i ka mohuar zërat.
Ndërsa, i pyetur për deklaratat e ambasadores amerikane, të cilën ai e quajti guvernatorë, pas takimit me Enkelejd Alibeajn, Berisha tha se bëhet fjalë për një dështim të radhës së Yuri Kim.
Sipas tij, kryediplomatja amerikane ka lënë mënjanë rolin e ambasadores dhe tashmë bën role që s’i takojnë, “sepse ka gjetur terren tek Edi Rama e Basha”.
“Ishte një dështim i ri i saj, i paralajmëruar. Guvernatorja Kim ka lënë mënjanë rolin e ambasadores. Nuk ka asnjë tagër të ndërhyjë në jetën e brendshme të një force politike. Imagjimoni si ka qenë PD, si të ishte një seksion i guvernatores. Ambasadat janë të respektuara, zonja në fjalë shkel çdo rregull. Ka gjetur terren te Rama e Basha. Bën atë rol që nuk takon të bëjë”.
Po ashtu, Berisha bëri të ditur se qëndrimi i mbajtur nga kreu i Grupit Parlamentar Enkelejd Alibeaj deri më tani kundrejt vendimit të gjykatës së Tiranës për ndryshimet stautore është i tiji personal dhe rrjedhimisht i pavlerë.