“30 arsye pse jetoj ende në Shqipëri”

Nga Eva Kushova Se këtu kam prindërit, motrat, vellain, të afërmit e mi Se flas kudo gjuhën time Se kurrë nuk ndihem e vetmuar Se kemi det, mal, natyrë të mrekullueshme dhe shumë ditë me diell Se kemi histori të lashtë të admirueshme Se kafenetë e lagjes i njoh me pëllëmbë, u di dhe çmimet dhe e pi kafen ku të dua

Se mund të vizitoj kurdo gjithë vendet, qytetet ku kam kujtime Se mund të takoj miq të fëmijërisë e mësuesit e dikurshëm Se njoh qindra variante e vende për të blerë dicka, lirë dhe mirë Se njoh shumë njerëz te cilëve mund t’u drejtohem kur kam një hall Se di gjithë numrat e urgjencës, ambulancës dhe në çast mund të telefonoj për ndihmë

Se shkoj në dasma, ditëlindje e evente, ku festojmë alla shqiptarce Se çdo muaj kemi nga një ditëlindje në familjen e madhe dhe kjo është e mrekullueshme Se nuk më duhet të bëj punëra të rëndomta, pasi shkolla e lartë më ka vlejtur. Se s’kam ngelur asnjëherë pa punë, edhe pse të gjithë ankohen se s’ka punë. Se edhe kur më kanë hequr pa të drejtë, kam gjetur dicka tjetër me më vlerë për të luftuar Se asnjëherë s’jam përzier në afera të pista dhe i kam bërë prindërit krenarë. Se nuk kam turp të kërkoj të drejtën, dhe s’guxon të ma hedhë kush Se nuk e vras mendjen se ku do lë fëmijën, se gjyshërit të ndihmojnë me dëshirë

Se kopshti dhe shkolla janë falas, të paktën deri në universitet Se kam përjetuar dy sisteme dhe shumë histori i kam me të jetuar, jo me të treguar
Se politikanët dhe bota VIP janë pjesë e humorit të kësaj shoqërie Se këtu bota rrotullohet shumë shpejt, sheh si shfryhen ata që fryheshin dikur nga nje post pune Se mosmirënjohësit dikur, shpesh kthehen dhe të luten Se kam Kishën ku shkoj dhe atje i njoh të gjithë Se ketu ka vendosur Zoti që unë të jetoj

Sepse nuk më ka dalë kurrë llotaria amerikane (edhe pse kam aplikuar) Se nuk m’i ka hapur askush dyert për të ikur jashtë Se të huajt po e preferojnë gjithnjë e më shumë vendin tone Se nuk do doja ta gëzonin të huajt këtë vend, por fëmijët tanë. Ps/ Ka dhe shumë arsye të tjera, por po e lë me kaq. Sekreti është të gjesh lumturinë aty ku fati ka vendosur që të jetojmë.

Ndaj, mos u qani por jetoni të sotshmen aty ku ndodheni. Dhe luftoni çdo ditë për të bërë diçka për këtë vend dhe për t’ua lënë brezave në vazhdim.